Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A do të ndalet nga puna, më 8 prill, në orën 23:59 për shkak të problemeve të ndjeshme me humbje të ujit. Sipas njoftimit, ky veprim bëhet me qëllim të parandalimit të ndonjë defekti më të madh në sistemin e prodhimit të energjisë elektrike.
KEK-u ka theksuar se ndalimi i njësisë A3 është i domosdoshëm për të verifikuar plotësisht gjendjen e saj dhe për të shmangur dëmtime të tjera potenciale. Për këtë arsye, është vendosur që kapacitetet e njësisë të mos nominohen për prodhim në ditën në vijim.
Në njoftimin e KEK-ut gjithashtu thuhet se ekipet e ekspertëve janë të gatshme për të identifikuar dhe riparuar çdo defekt që mund të ketë shkaktuar këtë problem. Pas ftohjes së njësisë, do të bëhet mundur rikthimi i saj në funksion sa më shpejt që të krijohen kushtet optimale.
Ndalimi i njësisë A3 do të ndikojë në zvogëlimin e kapacitetit të përgjithshëm të prodhimit të energjisë elektrike në këtë periudhë.