Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Maqedonisë së Veriut zhvilluan mbledhjen e tyre të dytë të përbashkët, këtë herë në Prishtinë. Takimi u parapri nga një takim bilateral ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ku u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe fusha të reja bashkëpunimi.
Mbledhja u mbajt në prag të 15-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë simbolike të këtij takimi dhe nënvizoi progresin e bërë përmes nënshkrimit të mbi 50 marrëveshjeve dhe memorandumeve gjatë viteve. Ai gjithashtu shprehu përkushtimin për zbatimin e tyre dhe avancimin e bashkëpunimit përmes marrëveshjeve të reja.
“Ne do të nënshkruajmë sot dy memorandume dhe një protokoll në fusha kyçe si energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë,” tha Kurti.
Gjatë mbledhjes, ministrat dhe zëvendëskryeministrat e të dy qeverive diskutuan mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Kulmi i takimit ishte nënshkrimi i tre dokumenteve të rëndësishme:
- Protokolli për implementimin e marrëveshjes për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, duke përfshirë Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë.
- Memorandumi i mirëkuptimit në fushën e energjisë, midis Ministrive përkatëse të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
- Memorandumi për bashkëpunim në arsimin profesional dhe arsimin e të rriturve, i cili synon të forcojë lidhjet në fushën e arsimit dhe inovacionit.
Në përfundim, Kryeministrat Kurti dhe Mickoski mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku theksuan përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.