Grupi për Studime Juridike (GLPS) ka mbajtur tryezën e diskutimit ‘Kosova dhe standardet evropiane në fushën e mjedisit dhe sa garantohet e drejta e qytetarëve për pjesëmarrje në çështjet mjedisore’. Në këtë tryezë janë prezantuar të gjeturat se si Kosova është duke përmbushur kriteret për pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrje për çështjet mjedisore.
Linda Çavdarbasha, zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, theksoi sa i përket legjislacionit, Kosova deri diku është përfaruar me BE-në. Ajo tha se ka raste kur ka probleme me zbatim dhe implementim të ligjit.
Sipas saj është mirë që kemi pjesëmarrje të qytetarëve në çështjet mjedisore. Çavdarbasha, ka folur edhe për mos angazhim të qytetarëve kur ka ndonjë investim. “Ka raste kur ka investime në ndonjë vend, dhe qytetarët nuk përfshihen në debatet publike”, tha ajo. Sipas saj nuk ka investime që nuk kanë ndikim në natyrë.
Për hidrocentralet që janë në Kosovë, Çavdarbasha, vlerësoi se për to ka pasur shkelje të ligjit. “Për shkak të presionit publik, janë ndalë disa prej hidrocentraleve. Qëllimi i qeverisë është fokusimi i ujërave. Ne jemi të fokusuar do të ndërtojmë disa diga, nëse ka mundësi që të ketë ndonjë hidrocentral nga këto disa do të shohim”, tha ajo.
Kurse Liridon Salihu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) tha se kjo tryezë organizohet në kuadër të projektit “Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën”.
Ai shtoi se në kuadër të këtij projekti grupi GLBS ka mbajtur trajnime me qytetarë dhe aktivist të shoqërisë civile lidhur me legjislacionin e mjedisor në gjashtë komuna të Republikës së Kosovës, ku në kuadër të këtyre komunave janë përfshirë Prizreni, Peja, Mitrovica, Deçani, Kaçaniku dhe Gjakova. “Në anën tjetër përmes kësaj tryeze do të shohim edhe sa janë aktiv qytetarët tonë në proceset vendimmarrëse sa i përket fushës së mjedisit, dhe si të rritet niveli dhe numri i qytetarëve në konsultime publike ku hartohen apo edhe vendoset për marrjen e ndonjë vendimi që prek edhe çështjen e ambientit”, tha Salihu./rtklive/