Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas vendimit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, të pandehurit akuzohen se në maj të vitit 1999, në zonën e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë, kanë vrarë 106 civilë shqiptarë dhe kanë keqtrajtuar mbi 300 të tjerë.
Gjykata ka urdhëruar shoqërimin me forcë dhe të menjëhershëm të të pandehurve, ndërsa vendimi për urdhërarrest është marrë më 15 prill 2025. Kërkesa për lëshimin e këtij urdhri është bërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me numër PPS.nr.25/2025 të datës 25 mars 2025.
Ndër të akuzuarit, përveç Milan Radoiçiqit, janë edhe: Milovan Kovaçeviq, Radomir Çoliq, Miloš Đosan, Predrag Ristiq, Srđan Krstiq, Ljubiša Obradoviq, Živko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Draškoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Čedomir Božoviq, Vladimir Božoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubiša Rakoviq, Miloš Šćepanoviq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.
Në kërkesën e saj, Prokuroria thekson se më 18 mars 2025 ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve nën shifrën PPS.nr. 20/2025, mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se gjatë periudhës 7–10 maj 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe, përfshirë të pandehurit, kanë hyrë shtëpi më shtëpi në Gjakovë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe duke ekzekutuar 106 civilë shqiptarë.
Pas përfundimit të luftës, trupat e viktimave u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.
Prokuroria bën të ditur se vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit është “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar nga neni 142 në lidhje me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, dhe aktualisht nga neni 146 në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Nr. 06/L-074).