Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një marrëveshje mes tyre. Të tre shtetet kanë rënë dakord që të kenë një zonë të mbrojtur të përbashkët.
Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministri i mjedisit në Maqedoninë e Veriut, Naser Nuredini, kanë nënshkruar memorandumin për krijimin e një zone të mbrojtur të përbashkët ku përfshihet Korab-Koritniku, Sharri, Mavrova dhe Mali i Sharrit.
Kjo marrëveshje është bërë për t’i dhënë më shumë jetë parkut më të madh ndërkufitar në Europë me një sipërfaqe që i kalon 240 mijë hektarë.
Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu ka thënë se janë të bindur se një marrëveshje ndërkombëtare është thelbësore për ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme mjedisore, ekonomike, shkencore dhe kulturore.
“Të bindur se një marrëveshje ndërkombëtare është thelbësore për ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme mjedisore, ekonomike, shkencore, kulturore dhe estetike për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm, me qëllimin kryesor që të zhvillojmë, promovojmë, menaxhojmë e ruajmë zonat tona të mbrojtura ndërkufitare”.
“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve – përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare – midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel evropian e ndërkombëtar”, është shprehur ministrja Kumbaro.
Sipas autoriteteve shqiptare, ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar të turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhimin e përbashkët ndërkufitar të rajonit dhe promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve.
Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë dhe Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë pjesë e një parku ndërkufitar.