Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka folur në emisionin “Debat Plus” rreth kandidaturës së Bedri Hamzës për Kryeministër të Kosovës, duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për të udhëhequr vendin. Krasniqi shpjegoi se, megjithëse nuk ka kandiduar vetë për kryeministër, ai ka besuar se Hamza është figura më e përshtatshme për këtë pozicion.
“Besoj që, pas nominimit të Bedriut si kandidat për kryeministër, do të jetë edhe kryeministri i ardhshëm. Jam i bindur që Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot,” deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se ky vendim është pasuar nga një reflektim i thellë, duke theksuar se PDK-ja ka kaluar nëpër një fazë të vështirë, veçanërisht në vitet 2020-2021. Sipas Krasniqit, roli i tij si kryetar i PDK-së ka qenë një përgjegjësi më shumë se një ambicie personale.
“Kam kërkuar më shumë besim se sa vetëm një mandat. Ky besim ka ardhur pasi besoj se në kapitullin e ri të PDK-së, duhej të ishte një reflektim i asaj që kishte ndodhur më parë dhe fokus në të ardhmen,” tha ai.
Krasniqi theksoi gjithashtu se partia ka pasur momente të vështira gjatë historisë së saj, përfshirë periudhën pas arrestimit të liderëve të partisë, si ish-kryetari Veseli dhe presidenti Thaçi, duke përmendur se kjo periudhë ka pasur ndikim të madh në PDK. Ai shprehu mirënjohjen për besimin e bashkëpartiakëve të tij, duke theksuar se ishte i përkushtuar për të filluar një kapitull të ri për PDK-në, me fokus në të ardhmen e Kosovës.