Prej kohësh, në media të shkruara dhe elektronike, është duke u zhvilluar një debat lidhur me dy çështje kryesore:
- A duhet kryeministri i Kosovës, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit për një rast korruptiv në qeveri, të paraqitet në prokurori?
- Kërkesa e Qeverisë së Kosovës që Lista Serbe, si iniciativë qytetare, të shpallet organizatë terroriste, një pretendim që u paraqit edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Të dyja këto çështje kanë një bazë të qartë: ndarja e pushteteve. Në Kosovë, si në çdo demokraci funksionale, pushtetet janë të ndara. Kuvendi ushtron pushtetin legjislativ, qeveria dhe presidenti atë ekzekutiv, ndërsa gjykatat dhe prokuroria përfaqësojnë pushtetin gjyqësor.
Sipas Andrew Heywood, në veprën e tij “Politics”, parimi i ndarjes së pushteteve synon të shmangë abuzimin me pushtetin duke ndarë funksionet qeverisëse midis organeve të ndryshme. Qëllimi kryesor është krijimi i një sistemi kontrolli dhe balancimi (checks and balances) midis pushteteve. Ndërsa, Samuel Huntington, në veprën “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror”, thekson se një shtet i fortë me pushtete të ndara është thelbësor për të garantuar rend dhe ligj përballë kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme.
Duke qenë se në Kosovë pushtetet janë të ndara, secila prej tyre ushtron detyrat e saj në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore.
Rasti i kryeministrit dhe thirrja në prokurori
Prokuroria, në këtë rast, ka vepruar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke ftuar kryeministrin në cilësinë e dëshmitarit. Kryeministri ka detyrimin të respektojë këtë ftesë. Në demokracitë perëndimore, liderët politikë, përfshirë figura si ish-presidenti amerikan Donald Trump, janë paraqitur në prokurori për të dëshmuar, qoftë personalisht apo nëpërmjet avokatëve të autorizuar.
Deklarata e kryeministrit Kurti se “Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë,” është politikisht dhe juridikisht e papërgjegjshme. Kjo shprehje minon autoritetin e pushtetit prokurorial dhe bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve. Refuzimi i paraqitjes në prokurori nga kryeministri dëmton pavarësinë dhe autoritetin e këtij institucioni, ashtu siç edhe kërkesa që prokurorët të paraqiten në zyrën e tij cenon po të njëjtin parim.
Çështja e Listës Serbe dhe zgjedhjet
Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është një hipokrizi politike. Si mund të shpallet Lista Serbe organizatë terroriste, ndërkohë që përfaqësuesit e saj vazhdojnë të jenë deputetë legjitimë në Kuvendin e Kosovës? Pse nuk është bërë më parë një kallëzim penal kundër kësaj partie?
Zhurma aktuale për Listën Serbe gjatë fushatës zgjedhore duket më shumë si një manovër politike sesa një përpjekje e sinqertë për të zgjidhur problemet reale. Veprimet e Listës Serbe kundër shtetësisë së Kosovës janë të njohura prej vitesh dhe nuk përbëjnë një risi.
Duhet kujtuar se KQZ është një institucion i pavarur, përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. KQZ nuk ka kompetenca të shpallë një parti politike organizatë terroriste. Një vendim i tillë mund të merret vetëm nga gjykata me një vendim të formës së prerë.
Përfundim
Të dyja çështjet e ngritura: ftesa e prokurorisë drejtuar kryeministrit për të dëshmuar në lidhje me një rast të dyshuar korrupsioni që pretendohet të ketë ndodhur në qeveri dhe pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste, nënvizojnë rëndësinë e respektimit të ndarjes së pushteteve dhe profesionalizmit institucional. Presioni i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i qeverisë së saj mbi institucionet e tjera të pavarura përbën një shkelje të parimeve të demokracisë përfaqësuese dhe të shtetit të së drejtës.
Shmangia e retorikës politike dhe e veprimeve që bien ndesh me këto parime është thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet dhe proceset demokratike të Kosovës.
Prof.dr. Sadik Haxhiu
FORUMI INTELEKTUAL – E 30