Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot në një takim të parë zyrtar në Zyrën e Kryeministrit Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Në këtë takim, Kurti ka uruar Sørensen për rolin e tij të ri dhe e ka njoftuar me zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë përpjekjet për formimin e institucioneve në legjislaturën e 9-të.
Kryeministri Kurti ka kërkuar që Bashkimi Evropian të heqë menjëherë masat kufizuese ndaj Kosovës, duke theksuar kontradiktën që ekziston mes këtyre masave dhe vlerave themelore të BE-së, si dhe përpjekjeve të Kosovës për reforma të mbështetura nga qytetarët. Ai ka nënvizuar se, në periudhën kur vendi ka shënuar ngritje të madhe demokratike sipas indekseve ndërkombëtare, është e padrejtë që të mbetet nën masa kufizuese të BE-së.
Në takimin me Sørensen, Kryeministri ka diskutuar gjithashtu për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Ai ka kujtuar edhe incidentet e dhunshme në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, duke theksuar rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq dhe grupi i tij paraqesin për sigurinë dhe normalizimin e marrëdhënieve, duke kërkuar që ata të dorëzohen për gjykim në Kosovë.