Kurti e përshëndeti znj. von der Leyen për rizgjedhjen e saj dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin për avancimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe për integrimin evropian të Kosovës. Ai theksoi se zgjerimi i BE-së, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë, është një përgjigje e fortë ndaj kërcënimeve për paqen dhe unitetin evropian. Në këtë kontekst, ai kërkoi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet seriozisht dhe t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat. Po ashtu, ai kërkoi heqjen e masave restriktive ndaj Kosovës, të cilat i quajti të padrejta.
Sa i përket Planit të Rritjes, Kurti theksoi se Kosova ka qenë një nga vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke dëshmuar përkushtimin e saj për këtë plan. Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai konfirmoi mbështetjen për këtë proces dhe shprehu angazhimin për marrëveshje të reja, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetit të nënshkruara në Berlin në vitin 2022.
Gjatë drekës, kryeministri gjithashtu diskutoi mbi Programin e Transportit dhe Lehtësimit, tregun unik digjital, Zonën e Përbashkët Evropiane të Pagesave (SEPA), Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin për sigurinë rajonale.