Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Dhunën Seksuale Lidhur me Konfliktin si folës kyç i konferencës.
Me temën “Avancimi i të Drejtave dhe Ndryshimi i Jetës për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale në Konflikt”, vetëm një ditë pas shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, kryeministri Kurti theksoi se në këto 25 vjet, roli i organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht të atyre të udhëhequra nga gratë, ishte jetik.
“Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se si shtet e shoqëri, ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë, dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme.
“Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës, Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për çfarë e falënderoj në veçanti drejtorin Atdhe Hetemi, i cili gjithashtu është i pranishëm sot me ne. Për të garantuar ndjeshmërinë gjinore në këtë proces, jemi të lumtur e me fat, që në Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është angazhuar edhe zonja Shyrete Tahiri Sylejmani. Për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit të të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Qeveria do të vazhdojë financimin për katër organizatat e autorizuara”, tha kryeministri.
Në përmbyllje, kryeministri përshëndeti praninë e nobelistit Dr. Denis Mukwege, për të cilin siç u shpreh ai figura e tij na rikujton fuqinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në përballjen me këto plagë të shoqërisë.