Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot një delegacion të bizneseve izraelite të profilizuara në sektorët e energjisë së ripërtëritshme, teknologjisë dhe prodhimit. Delegacioni udhëhiqej nga Eyal Waldman, Drejtues i Waldo Holdings dhe Konsull nderi i Republikës së Kosovës në Izrael.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti ka njoftuar përfaqësuesit e kompanive për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj. Ai ka theksuar leverditë e kornizës ligjore, përparësitë e fuqisë punëtore, si dhe progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar gjatë katër viteve të fundit, duke siguruar stabilitet institucional.
Diskutimi u përqendrua në mundësitë e hapura për investime të huaja në Kosovë, me fokus në sektorin e energjisë së ripërtëritshme. Kryeministri Kurti theksoi investimet që po bëhen në infrastrukturë, përfshirë hapjen e ankandit të suksesshëm për energji solare dhe hapjen e ankandit të ri për energji të erës me kapacitet 100 MW, që shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme në vend.