Pas Mynihut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, u mirëpritën dje nga bashkatdhetarë të shumtë edhe në qytetin e Shtugartit.
Aty bashkë zhvilluan një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në vend, zhvillimit të vendit dhe rolin historik të mërgatës si dhe të kontributit që vazhdon. Kryeministri veçoi rolin e rëndësishëm që mërgata jonë në Gjermani ka edhe sot në raportet që Kosova ka me Gjermaninë si dy shtete, dhe shqiptarët me gjermanët si dy popuj.
“Nuk harrojmë asnjëherë ta themi sepse e kuptojmë në shkallën e duhur që mërgata jonë është përbërësi i fuqishëm historik, ekonomik, politik dhe diplomatik i Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar mban…prandaj themi me plot zemër se ju jeni zemra e përpjekjeve tona për liri dhe përparim”, u shpreh kryeministri Kurti.
Për shkak të historisë së saj komplekse, dhe dashurisë dhe përkushtimit ndaj vendit
mërgata jonë e ka kuptuar shumë mirë dhe mësuar një herë e mirë se në të tashmen i shërbehet atdheut, kurse atdheu të shërben në të ardhmen.
“Mërgimi i rëndë që na karakterizonte fort në të kaluarën, tash ka rezultuar me mërgatën që është e ardhmja. E ardhmja e kthimit në atdhe, në Kosovën që po përparon nga kontributi i dikurshëm e i vazhdueshëm i juaji i cili ju bën juve thelb të së ardhmes sonë”, tha kryeministri Kurti.
Ndërkaq zëvendëskryeministrja Gërvalla-Schwarz, duke e cilësuar Shtugartin si kryeqytet të mërgatës shqiptare, tha se nga ky qytet u organizuan shumica e aksioneve në ndihmë të Kosovës, nga aty u nisën veprat më të mëdha në solidaritet me qytetarët e Kosovës në kohë të zymta, dhe po nga ky qytet Sali Çekaj u nisë me djemtë dhe vajzat e tij për të mbrojtuar me gjakun e tij Republikën e Kosovës. Ajo falënderoi bashkatdhetarët për rolin e tyre vendimtar e të vazhdueshëm në fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe për mbështetjen e tyre, teksa u bëri thirrje që të regjistrohen sa më parë në mënyrë që të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e ardhshme parlametare të shkurtit 2025.