Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në Bruksel nga Gert Jan Koopman, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian. Në këtë takim, ata diskutuan për aspekte të ndryshme të integrimit të Kosovës në BE, duke përfshirë avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian.
Gjithashtu, u trajtuan çështje të tjera të lidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë nevojën për funksionalizimin e Tregut të Përbashkët Rajonal mbi parimin e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha vendet e rajonit.
Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka një interes të fortë që ky treg të funksionalizohet, sidomos me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit. Ai shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar drejt standardeve evropiane në ekonomi, demokraci dhe sundim të ligjit.
Ai përmendi gjithashtu se pengesat aktuale për progresin e Kosovës lidhen me situatën e sigurisë dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, të cilat Kosova dëshiron t’i adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, duke marrë parasysh lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë.
Në takim, u diskutua gjithashtu për fillimin e zbatimit të Planit të Rritjes, një instrument i Komisionit Evropian që ka për qëllim të përshpejtojë afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Kurti theksoi se Kosova ka qenë gjithmonë një palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, duke riafirmuar interesin e saj për përmbylljen e këtij procesi. Ai konfirmoi mbështetje për Marrëveshjen bazë dhe Planin Zbatues të arritura vitin e kaluar, duke u angazhuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zbatimin e obligimeve nga këto marrëveshje.
Drejtorin Koopman e siguroi se përkushtimi i institucioneve evropiane për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë, siç është vërtetuar nga qëndrim i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në drekën e djeshme me liderët e Ballkanit Perëndimor.