Pas një dreke ministeriale të organizuar nga Drejtorja Ekzekutive e Forumit të Varshavës për Siguri, Katarzyna Pisarka. Takimi me Braže përfaqësoi bisedën e parë bilaterale të kryeministrit në kuadër të Forumit.
Letonia ka njohur pavarësinë e Kosovës vetëm tre ditë pas shpalljes së saj më 17 shkurt 2008 dhe ka qenë mbështetëse e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Kryeministri shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme dhe theksoi rëndësinë e partneritetit bilateral dhe bashkëpunimit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe mbrojtjes, përballë kërcënimeve nga regjimet autokratike. Ata diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kryeministri falënderoi Letoninë për kontributin e saj në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes në misionin e NATO-s, KFOR.
Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet rajonale dhe situatën e sigurisë në Evropë, duke përfshirë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe rolin që shtetet evropiane kanë në mbështetje të saj për integritetin territorial dhe demokracinë. Kryeministri Kurti informoi Braže gjithashtu për situatën në vend, marrëdhëniet me Serbinë dhe rreziqet që ajo paraqet për Ballkanin Perëndimor, sidomos lidhjet e saj me Rusinë dhe përfshirjen në sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë, ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërsa autorët e sulmit vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.