Pas takimit mbrëmë me pjesëtarë të mërgatës sonë e para nisjes së Forumit Ekonomik të Kosovës në Paris, mëngjesin e sotëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi me ministrin për Evropë të Francës, Benjamin Haddad.
Gjersa u riafirmuan marrëdhëniet e fuqishme mes Kosovës dhe Francës, kryeministri Kurti dhe ministri Haddad diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit veçanërisht në sferën ekonomike, në kuadër edhe të forumit të sotëm, si një mundësi e mirë për më shumë shkëmbime, bashkëpunime e investime mes kompanive të dy vendeve tona.
U trajtua edhe rrugëtimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës. Në fokus ishin dhe çështjet rajonale me theks në bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Haddad për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe bashkëbisedimin e takimin e sotëm. Prezent në takim ishte dhe i dërguari special i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trocaz.