Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Pashkëve, duke përcjellë një mesazh reflektimi, shprese dhe dashurie.
“Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët e krishterë!”, shkruan Kurti në urimin e tij, duke theksuar rëndësinë simbolike të kësaj dite, që këtë vit kremtohet njëkohësisht nga besimtarët katolikë, ortodoksë dhe protestantë në mbarë botën, përfshirë edhe ata shqiptarë, kudo që ndodhen.
Ai shton se Dita e Pashkës, si festa më e madhe e krishterë, nuk është thjesht një kremtim, por një ftesë për rilindje shpirtërore.
“Është më shumë se një festë, është një ftesë për reflektim, rilindje dhe shpresë. Kjo ditë na e sjell pranë mendjes e shpirtit dritën, dashurinë dhe ripërtëritjen.”
Në urimin e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e dashurisë për njëri-tjetrin dhe për atdheun, si dhe thirrjen për të përballuar sfidat me besim dhe virtyt.
“Ta përmbushim sprovën e të qenit njerëz me besim e me virtytin e të mirës. Na bëftë të fuqishëm me durimin për mundimet, për betejën me të padrejtën, që ta ndihmojmë përherë njëri-tjetrin me plot dashuri.”
Në përmbyllje, Kryeministri uroi që festa e Pashkëve të sjellë mbarësi në çdo familje, duke përhapur të mirën dhe shpresën mes njerëzve:
“Qofshin lutjet e kësaj dite e mira që përhapet midis nesh!”