Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”. Gjatë vizitës, ai ka inspektuar stendat dhe pavijonet e disa prej kompanive më të mëdha në fushat e teknologjisë dhe automatizimit industrial, përfshirë Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP dhe Schneider Electric.
Në këtë panair, Kurti ka pasur mundësinë të njihet me përfaqësuesit e këtyre kompanive dhe të mësojë më shumë rreth zhvillimeve në teknologjinë inteligjente të prodhimit, automatizimin industrial dhe ekosistemet digjitale. Ai u takua gjithashtu me drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, Steffen Haack, dhe me drejtori ekzekutiv i Deutsche Messe, Jochen Köckler, për të diskutuar mundësitë e një projekti të përbashkët vitin e ardhshëm dhe thellimin e bashkëpunimit.
Kurti u shoqërua nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe Këshilltarja Politike, Fëllanza Podrimja.
Panairi “Hannover Messe 2025” po mbahet nga 31 mars deri më 4 prill, me moton “Shaping the future with technology”. Për të dytin vit radhazi, Kosova është pjesëmarrëse në këtë panair, duke promovuar kompanitë vendore dhe duke u mbështetur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe agjencia KIESA për të gjetur mundësi eksporti për produktet dhe shërbimet e tyre.