Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, sot u mbajt mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku u diskutuan dhe vendosën çështje të rëndësishme për axhendën parlamentare.
Në bashkëpunim me kryetarët e grupeve parlamentare, Kryesia vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të hënën, më 2 dhjetor, në orën 10:00, ku do të shqyrtohet Projekt-Rezoluta për tre vjet qeverisje, si pika e vetme e rendit të ditës.
Gjithashtu, të enjten, më 5 dhjetor, Kuvendi do të vazhdojë punimet e nisura në seancat e mbajtura më 31 tetor dhe 4 nëntor 2024, në orën 10:00. Po atë ditë, në orën 14:00, do të mbahet një seancë e re, ku do të shqyrtohen disa projektligje, raporte, rezoluta dhe deklarata të tjera.
Gjatë mbledhjes, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj, duke vazhduar përgatitjet për funksionimin e rregullt dhe efikas të Kuvendit të Kosovës.