Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Drejtoreshën Rajonale të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), Justine Coulson.
Kryetari Konjufca e falënderoi znj. Coulson për vizitën, teksa shprehu rëndësinë e bashkërendimit të përpjekjeve për të avancuar gjithnjë e më shumë në garantimin e të drejtave universale në lidhje me shëndetin riprodhues, për të rritur mirëqenien sociale dhe për barazi, në aspektin gjinor siç edhe në shkallë më të gjerë.
Po ashtu, ai e njoftoi me arritjet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, e njëkohësisht i paraqiti synimet dhe angazhimin për arritje të tjera në vazhdim, duke përfshirë këtu edhe ligjin për shendetin riprodhues dhe përpjekjet për mekanizma sa më efikase të mirëqenies sociale.
Bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e rritjes së mëtejme të bashkëpunimit, në mënyrë që të tejkalohen sa më lehtë dhe sa më shpejtë sfidat që gjenden përpara.
Drejtoresha Justine Coulson e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, si dhe shprehu gatishmëri të plotë për bashkëpunim sa më të ngushtë në lidhje me çështjet e adresuara që prekin shëndetin dhe mirëqenien sociale të popullsisë së Republikës së Kosovës.