Në vazhdën e komunikimeve të brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala dhe bashkëpartiaku i tij Arben Gashi, zhvilluan mes vete një komunikim “goxha të nxehtë”.
Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.
“Faktet po ulerasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhe”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.
Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.
“Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj.
Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik
gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.