Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga aktivistja për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, ka bërë sot homazhe në përkujtim të masakrës së kryer në fshatin Studenicë të Komunës së Istogut, 25 vjet më parë.
Gjatë kësaj masakre, forcat serbe ekzekutuan mizorisht katër nëna dhe katër vajza të mitura, të moshës nga 12 deri në 15 vjeç, si dhe kryeplakun e fshatit. Trupat e tyre më pas u hodhën në pus, në përpjekje për të fshehur krimin.
Pas vendosjes së luleve në vendin e ngjarjes, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e kujtimit të këtyre viktimave, duke thënë se ato janë pjesë e historisë dhe rrënjëve të shtetit të Kosovës.
“Jam këtu për të bërë nderime për këta martirë, të cilët u vranë mizorisht para 25 vjetëve. As emrat e tyre nuk harrohen kurrë, e as gjaku i tyre nuk shlyhet. Sepse aty e kemi historinë tonë, rrënjët e shtetit që e kemi dhe lirinë që e gëzojmë”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se mizoria e krimit ishte aq e madhe, sa forcat serbe nuk u mjaftuan me vrasjen, por i hodhën trupat në pus, duke treguar urrejtjen e thellë edhe ndaj të vdekurve.
“Kriminelët serbë edhe trupat e pajetë të shqiptarëve i panë si kërcënim. Preokupimi i tyre nuk ishte a të vrisnin apo jo, por çfarë të bënin me trupat pas vrasjeve”, tha Kurti.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi se fakti që qytetarët e Kosovës vazhdojnë jetën, ndërtojnë shtetin dhe e zhvillojnë shoqërinë, është dëshmi e triumfit të popullit shqiptar mbi padrejtësinë dhe dhunën.
“Populli shqiptar dhe Republika e Kosovës kanë triumfuar. Ky është kontributi ynë për drejtësinë historike mbi atë çka na ka ndodhur”, theksoi ai.
Duke bërë thirrje për drejtësi, Kurti u shpreh se është urgjente që Prokuroria Speciale dhe sistemi gjyqësor të angazhohen maksimalisht për të ndjekur autorët e këtyre krimeve, duke marrë parasysh që dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar dhe shumë prej tyre po humbin jetën.
“I kemi faktet materiale, dëshmitë e deklaruara, por po na mungojnë njerëzit që kanë mbijetuar. Është koha që drejtësia të veprojë pa vonesa”, përfundoi Kurti.
Masakra në Studenicë mbetet një nga krimet më të rënda kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë dhe një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të vendit.