Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk mund të japë dorëheqje më shumë sesa akti për të cilin e njoftoi Kuvendin e Kosovës të martën.
Në një mbledhje të Qeverisë në detyrë të Kosovës, Kurti tha nuk do të japë dorëheqje tjetër.
Ai tha se qeveria aktualisht është në detyrë dhe se pavarësisht insistimit të opozitës, ai nuk do të lë vakum institucional.
“Qeveria jonë është në detyrë dhe efektivisht i dorëhequr që nga marsi i këtij viti. Nga ajo ditë e deri në zgjedhjet e qeverisë së re, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë në zbatim të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës”, tha Kurti.
Kurti tha se dje i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me një letër për dorëheqjen e tij nga posti ekzekutiv.
“Më shumë se kaq nuk është e mundur që të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional”, tha Kurti, i cili tha se kjo do të përbënte cenim të sigurisë kombëtare.
“Është kërkesë dhe insistim, e thënë së buti e pa matur, për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, tha ai.
Sipas Kurtit, Ligji për Qeverinë i bën të detyrueshme ushtrimin e kompetencave nga qeveria në dorëheqje.
“Të dashur qytetarë, Ligji për Qeverinë e bën të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj – neni 30, ndonëse të kufizuara – neni 31, deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Mbledhja sot dhe ushtrimi i kompetencave të tjera qeveritare, janë plotësisht të lejueshme madje edhe të detyrueshme, sipas Ligjit”, tha ai.