Në shënim të Ditës së Falënderimeve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi një drekë në Prishtinë për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, dhe stafin e ambasadës amerikane.
Dita e Falënderimeve, një festë tradicionale amerikane që shënohet mes familjarëve dhe miqve të afërt, u kremtua në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve. Në një atmosferë miqësore, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e kësaj feste si simbol të mirënjohjes dhe solidaritetit.
Gjatë kësaj dreke, Kryeministri Kurti shprehu falënderime të veçanta për rolin vendimtar të ShBA-ve në shtetndërtimin e Kosovës. Ai vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe politik të vendit.
Përmes këtij gjesti, qeveria e Kosovës riafirmoi vlerësimin për partneritetin e ngushtë dhe miqësinë mes dy vendeve, duke e cilësuar atë si një shtyllë thelbësore për të ardhmen e Kosovës.