Kjo akuzë iu bë Serbisë gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur të dielën nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Qeveria e Kosovës, Serbia akuzohet ka kryer “ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror të Kosovës”.
“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë,” thuhet në komunikatë.
Kjo, siç thuhet aty, është realizuar përmes kërcënimeve, joshjeve dhe shantazheve të hapura ndaj deputetëve joshqiptarë, me qëllim të sabotimit të procesit të konstituimit të institucioneve të reja.
“Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë.
“Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë,” thuhet me tej në reagim.
Serbia u akuzua gjithashtu se po “ushtron trysni të paparë” ndaj serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
“Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë.”