Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e nënkryetarit Enver Hoxhaj (sipas autorizimit të kryetarit Glauk Konjufca), me kërkesë të 42 deputetëve mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, me vetëm një pikë të rendit të ditës: Debat Parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës.
Në cilësi të iniciuesit, arsyetimin e thirrjes së kësaj seance e bëri deputeti i Grupit Parlamentar të AAK-së, Bekë Berisha, i cili tha se situata aktuale në FSK është tepër shqetësuese.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në këtë kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon, sektori i sigurisë të trajtohet me prioritet dhe me dinjitet.
“Sot kërkojmë zgjidhje të menjëhershme. Ushtarët nuk duhet të jenë të shqetësuar për ushqimin”, theksoi Berisha.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, në këtë seancë foli deputeti Hisen Berisha, i cili ndër të tjera tha se është e papranueshme që institucioni kyç për sigurinë kombëtare të përballët me probleme, siç është çështja e ushqimit.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Anton Quni, vlerësoi se është detyrë parësore e Ministrisë së Mbrojtjes që të sigurojë mirëqenien e ushtarëve dhe të tregojë kujdesin, si dhe përkushtimin më të lartë për të siguruar kushte të përshtatshme për operimin dhe mbarëvajtjen e të gjitha proceseve.
Tutje, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, foli kryetari i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, i cili tha se është shqetësuese që gjashtë vjet pas krijimit të Ushtrisë së Kosovës, të flitet për logjistikën, për ushqimin e ushtarëve, si dhe një sërë problemesh tjera.
Debati vazhdoi edhe me diskutimet e deputetëve të tjerë, pjesëmarrës në këtë seancë.
Pas ezaurimit të diskutimeve, në mungesë të kuorumit propozim-rezoluta e paraqitur nga iniciuesi i këtij debati, deputeti Berisha, nuk u hodh në votim, përderisa kryesuesi i seancës, nënkryetari Enver Hoxhaj bëri të ditur se për votimin e saj deputetët do të njoftohen me kohë.