Seanca konstituive do të vazhdojë nesër pasi dështoi dy herë të miratojë raportin e verifikimit të mandateve, meqë partitë që nuk janë në pushtet akuzuan anëtarët e ekzekutivit që po e shkelin Ligjin për Qeverinë duke marrë mandatin e deputetit pa dhënë dorëheqje nga posti qeveritar.
As të martën dhe as të enjten nuk u arrit shumica e thjeshtë e të gjithë deputetëve të pranishëm në mënyrë që të verifikohen mandatet dhe pastaj të hapet rruga për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të këtij organi.
Deri më tash, ende nuk ka konfirmim nëse Vetëvendosja dhe Albin Kurti i kanë 61 votat e nevojshme për formimin e institucioneve, ndonëse për verifikimin e mandateve u nevojitet vetëm shumica e thjeshtë e deputetëve të pranishëm që marrin pjesë në votim.
Vetëvendosja pretendon se i ka numrat, mirëpo të enjten nuk e dëshmoi një gjë të tillë. Edhe pse NISMA e Fatmir Limajt po e mbështet partinë e Kurtit me 3 votat që i ka kjo parti, prapëseprapë problemi qëndron te deputetët joshumicë.
Me Nismën e Limajt, Kurti shkon në gjithsej 51 vota, ndërsa me ministrin Nenad Rasic shkon në 52. Nëntë votat vendimtare po kërkohen nga deputetët e pakicave joserbe, përveç Adem Hodza, me të cilin Kurti s’arriti të merret vesh.
Mbetet të shihet nesër nëse VV-ja i ka siguruar votat apo jo, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve. Por, nëse nuk ka as nesër zgjidhje, seanca do të shtyhet edhe për 48 orë, e pastaj sërish mund të shtyhet për çdo herë nga 48 orë, duke shkuar në zvarritje të pambarimtë./gazetametro.net