Lansohet pilot projekti që ndërlidh qytetarët me adresat

Është prezantuar projekti për krijimin e sistemit elektronik për lidhjen e qytetarit me adresat. Mungesa e sistemit të unifikuar të adresave krijon probleme për një sërë fushash, si taksat, regjistrimi civil, të drejtat pronësore, qasja në drejtësi dhe administrimi i zgjedhjeve.

Për të adresuar sfida të tilla, institucionet e Kosovës të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë kanë filluar punën për krijimin e Sistemit të Adresave që nga viti 2010, që vazhdon të zbatohet tani, mirëpo së cilës i ka munguar ndërlidhja e saj me qytetarin për të shërbyer maksimalisht në funksionin për të cilën është krijuar.

“Pilot projekti për krijimin e sistemit elektronik për lidhjen e qytetarit me adresë ka si qëllim evidentimin e saktë të adresave për qytetarët e Kosovës. Përmes këtij sistemi, i cili bazohet në të dhënat që merr nga Sistemi i Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile (ARC) dhe Sistemi i Informimit të Regjistrit të Adresave (AKK), synohet të bëhet ndërlidhja e regjistrit të gjendjes civile me regjistrin e adresave, duke krijuar adresë unike për secilin shtetas që jeton në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Një ndërlidhje e tillë ndikon në përmirësimin e situatës në disa fusha, siç është ofrimi i shërbimeve për qytetarët, siguria e dokumenteve, proceset elektorale, luftimin e krimit, dhe në tërësi në situatën e sigurisë në vend.

“Mungesa e një sistemi të unifikuar adresash është përfshirë gjithashtu në agjendën e integrimit evropian, ku saktësia e listës së votuesve është një ndër prioritetet e ERA II tek fusha e reformës zgjedhore”, vijon njoftimi.

Këtë javë ka filluar trajnimi i rreth 20 punonjësve dhe mbikëqyrësve që do të dalin në terren në sistemin që e bën të mundur këtë ndërlidhje, sistemin SELQA. Përmes këtij sistemi, pas vizitave në terren, ata do të mund të shtojnë të dhëna të duhura e të sakta për identifikimin e qytetarëve në adresat e tyre, në bashkëpunim edhe me zyrtarët komunal të gjendjes civile dhe urbanizmit.

Prezent gjatë lansimit ishin përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Agjencia e Regjistrimit Civil, Agjencia Kadastrale e Kosovës, GIZ dhe Ambasada Gjermane.

Next Post

Qëndroni me ne