Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për ceremoninë përkujtimore të mbajtur sot në nderim të Ismet Rracit, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.
Ceremonia u zhvillua në praninë e familjarëve të tij – zonjës Xhemile dhe djemve Albanit e Asimit – si dhe në shoqërimin e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së LDK-së. Në këtë rast, u zbulua pllaka përkujtimore për Ismet Rracin, e cila është vendosur në koridorin e përkujtimeve në selinë e LDK-së, krahas figurave të tjera të shquara si Enver, Xheme e Nekibe.
“Kjo pllakë do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave dhe grave të shtëpisë sonë në shërbim të vendit,” u shpreh Abdixhiku.
Ismet Rraci ishte një prej figurave kyçe të LDK-së në Klinë, themelues i degës së partisë në atë komunë dhe më pas, pas përfundimit të luftës, kryetar i zgjedhur i Komunës së Klinës. Më 24 prill 2001, gjatë shkuarjes për në punë, ai u vra pranë hyrjes së banesës së tij. Vrasësit e tij mbesin ende të lirë.
“Familja Rraci humbi më të dashurin e tyre; LDK një veprimtar të pashoq të orëve të rënda; Klina një kryetar komune të zgjedhur me votë demokratike; e Kosova një atdhetar të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci,” shtoi më tej Abdixhiku.
Ai theksoi se trashëgimia politike e Rracit vazhdon të jetojë brenda LDK-së, duke përmendur se biri i tij, Albani, aktualisht mban postin e kryetarit të degës së LDK-së në Klinë.