Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me procedurën e votimit me postë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. LVV-ja kërkon anulimin e 18,933 votave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke i cilësuar ato si të manipuluara. Sipas LVV-së, votat e LDK-së janë mbledhur në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë, dhe kërkojnë që të zhvillohet një rivotim me postë.
Në një postim në Facebook, LVV-ja kërkoi gjithashtu largimin e kandidatëve të LDK-së që kanë marrë numër të madh votash përmes këtij procesi dhe të mos zëvendësohen me anëtarë të tjerë të partisë. Më parë, më 17 mars, LVV-ja kishte kërkuar anulimin e këtyre votave dhe rivotim me postë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ankesa e saj ishte hedhur poshtë.
Lëvizja Vetëvendosje tani shpreson që Gjykata Supreme do të rishikojë dhe “korrigjojë vendimin e padrejtë” të PZAP-it. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata Supreme ka afat pesë ditë pas dorëzimit të ankesës për të marrë një vendim përkatës.
Ndërkohë, më 15 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, për të certifikuar rezultatet dhe hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja, KQZ pritet të presë vendimin e Gjykatës Supreme pas përfundimit të afateve për ankesa.