Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon numërimin e votave të diasporës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Deri tani, nga 44.19% e vendvotimeve të përfaqësive diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje po kryeson me 81.89% të votave, duke siguruar 3.305 vota. Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 291 vota, ose 7.21%, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 232 vota, ose 5.75%. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, dhe Konservatorët e Intelektualët ka fituar 1.54% të votave, ose 62 vota. KQZ ka njoftuar se do të publikojë rezultatet për kandidatët për deputetë pas përfundimit të numërimit të votave.
Numërimi i votave të diasporës për zgjedhjet e 9 shkurtit nisi më 26 shkurt, pasditen e së martës. Votimet për pjesëtarët e mërgatës, për herë të parë, u mbajtën në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, me pjesëmarrje prej 73.56%. Nga 20.324 persona të regjistruar, 15.552 e shfrytëzuan të drejtën e votës në 43 vendvotime të hapura në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 19 shtete të ndryshme.
Pjesëtarët e diasporës kanë pasur mundësinë të votojnë edhe përmes postës. Votat e dërguara përmes postës, së bashku me votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, do të numërohen në ditët në vijim, pasi të përfundojë skanimi i listave përfundimtare të votuesve të 9 shkurtit. Kjo masë është marrë për të parandaluar rastet e votimit të dyfishtë.
Në rezultatin preliminar të zgjedhjeve, duke përfshirë vetëm votat e rregullta, Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me 40.80% të votave, e pasuar nga PDK me 22.05% dhe LDK me 17.64%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.46% të votave. Më së shumti vota nga partitë e komunitetit serb ka marrë Lista Serbe, me 4.62% të votave.