Robert Lewandowski shënoi golin e tij të 18-të këtë sezon në La Liga, duke udhëhequr Barcelonën drejt një fitoreje të ngushtë ndaj Deportivo Alavés dhe duke ngushtuar diferencën me kryesuesit e kampionatit, Real Madrid.
Pas një pjese të parë zhgënjyese për vendasit, 36-vjeçari theu ngërçin në minutën e 61-të, duke realizuar nga afër pas një krosimi të saktë nga Lamine Yamal. Ky ishte i vetmi rast i qartë për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, por mjaftoi për t’i siguruar tre pikët dhe për të regjistruar portën e parë të paprekur pas 11 ndeshjesh në ligë.
Alavés krijoi disa mundësi të rrezikshme, por vazhdimisht u ndal nga gracka e pozicionit jashtë loje e vendosur nga mbrojtja e Barcelonës.
Pas humbjes surprizë të Real Madridit ndaj Espanyolit të shtunën, Barcelona ngjitet në kuotën e 4 pikëve më pak se “Los Blancos” dhe vetëm 3 pikë prapa Atlético Madridit, që mban vendin e dytë.
Kjo humbje e rëndon edhe më shumë pozitën e Alavés, që tashmë ndodhet në zonën e rënies, dy pikë larg ekipeve si Las Palmas, Leganés dhe Espanyol.
Në vazhdim, Barcelona do të përballet me Valencian në Kupën e Mbretit të enjten, përpara një ndeshjeje të vështirë ndaj Sevillës në La Liga fundjavën e ardhshme. Ndërkohë, Alavés, i eliminuar nga Copa del Rey në dhjetor, do të ketë një javë të plotë pushim përpara ndeshjes së tyre të radhës në shtëpi kundër Getafes.
E vetmja notë e hidhur për Barcelonën ishte dëmtimi i Gavit, i cili u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm dhjetë minutash, pas një përplasjeje të fortë me kokë me Tomás Conechny, i cili u largua me barelë.