Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar sot komunën e Suharekës, ku ka theksuar angazhimin e tij dhe të subjektit që drejton për të sjellë ndryshime reale dhe zhvillim të qëndrueshëm në vend. Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Limaj bëri të ditur mbështetjen e fuqishme që ka marrë në këtë komunë.
“Nga Suhareka morëm mbështetje të jashtëzakonshme për të vazhduar veç me VEPRA. Nisma Socialdemokrate është e gatshme ta kthejë shpresën dhe normalitetin jo vetëm në Suharekë, por në tërë Kosovën,” shkroi Limaj.
Ai theksoi se programi i Nismës ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës, mbështetjen e zhvillimit ekonomik, arsimin cilësor, garantimin e sigurisë dhe avancimin drejt anëtarësimit në NATO.
“Sfidat e qytetarëve janë bërë gjithnjë e më të mëdha në këto pesë vitet e fundit. Ata kërkojnë përgjigje të qarta dhe veçVEPRA konkrete. Nisma është e angazhuar për të ndryshuar realitetin dhe për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm,” shtoi ai.
Limaj ritheksoi se Nisma do të jetë një forcë kryesore për kthimin e shpresës dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për çdo qytetar dhe familje në Kosovë.