Pasi Kremlini njoftoi të shtunën se forcat ruse kishin çliruar plotësisht rajonin e Kurskut, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë këtë deklaratë, duke theksuar se forcat ukrainase vazhdojnë të luftojnë dhe të mbrojnë zonat e caktuara në këtë rajon dhe në Belgorod.
Zelensky tha se ushtria ukrainase po vijon operacionet në rajonin e Kurskut, i cili ndodhet në kufirin me Rusinë. Ai theksoi se forcat ukrainase, të cilat hynë në Kursk gushtin e kaluar, po mbrojnë ende disa zona të rajonit, dhe se situata mbetet e vështirë në shumë pjesë të tij. Deklarata e tij bie ndesh me raportin e Ushtrisë ruse, e cila tha se kishte marrë kontrollin e plotë të rajonit nga forcat ukrainase. Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse, raportoi për Presidentin Vladimir Putin se rajoni ishte “çliruar plotësisht”.
Pas këtyre pretendimeve, ushtria ukrainase i mohoi akuzat ruse dhe konfirmoi se luftimet vazhdojnë. Ajo i quajti pretendimet e Moskës si një manovër propagandistike dhe vazhdoi të raportonte për betejat aktive në rajonin e Kurskut.
Në mes të tensioneve, Zelensky ka bërë thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar mbi Moskën për të krijuar mundësi për një “diplomaci të vërtetë” dhe për t’i dhënë fund luftës. Ai shtoi se situata aktuale në frontin luftarak dëshmon se presioni mbi Rusinë nuk është i mjaftueshëm për t’i dhënë fund agresionit të saj.
Ndërkohë, sulmet me dronë nga ana e forcave ruse vijojnë në qytetet ukrainase. Një burrë u vra dhe një vajzë 14-vjeçare u plagos gjatë një sulmi në Pavlohrad, ndërsa zona të tjera, si Zhytomyr, Odessa, Donetsk dhe Sumy, janë goditur gjithashtu. Forcat ukrainase njoftuan se kanë rrëzuar 57 nga 149 dronë rusë gjatë natës dhe 67 të tjerë janë zhdukur pa shkaktuar dëme.