Deputetja e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas korrigjimit të hartës së rezultateve të zgjedhjeve nga ky i fundit. Lushaku-Sadriu e cilësoi këtë veprim si një “dhuratë” për qytetarët e Kosovës nga qeverisja e Kurtit, duke shtuar se qytetarët po përballen me rritje të çmimeve, ndërsa kryeministri merret me analiza hartash.
Në një postim në Facebook, Lushaku-Sadriu tha se gjatë mandatit të Kurtit, çmimet janë rritur drastikisht, përfshirë rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 165%. Ajo theksoi se, ndërsa qytetarët po vuajnë nga këto çmime të larta, kryeministri po humb kohë duke u marrë me analiza të gabimeve në hartat zgjedhore.
“Çmimet janë në qiell; rryma u bë 165% më e shtrenjtë gjatë mandatit të tij dhe me leje të tij, ndërsa ai ende merret me analiza të hartave,” shkroi Lushaku.
Ajo i bëri thirrje Kurtit të përqendrohet në problemet reale të qytetarëve, duke i thënë se “s’ke çka i këqyrë hartat; je humbësi më i madh, që fatkeqësisht asnjë veprim nuk merr në interes të qytetarëve, por për interesat e Martanave tu!”