Manchester City ka rikthyer formën dominuese të sezoneve të kaluara me një fitore bindëse prej 5:2 ndaj Crystal Palace, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 32-të të Premier League, të zhvilluar në stadiumin “Etihad”.
Ndonëse fillimi i ndeshjes nuk premtonte rezultat pozitiv për “qytetarët”, të cilët pas vetëm 21 minutash po humbnin 0:2, ata arritën të rikthehen në lojë dhe të kompletojnë një përmbysje të jashtëzakonshme.
Crystal Palace kaloi në epërsi me golat e Eberechi Eze në minutën e 8-të dhe Chris Richards në minutën e 21-të. Megjithatë, City reagoi fuqishëm dhe barazoi rezultatin përpara përfundimit të pjesës së parë. Kevin De Bruyne ngushtoi diferencën në minutën e 33-të, ndërsa Omar Marmoush barazoi vetëm tre minuta më vonë, në të 36-tën.
Në pjesën e dytë, dominimi i City-t ishte total. Gjatë këtij 45-minutëshi, vendasit shënuan edhe tre gola të tjerë me anë të Mateo Kovačić, James McAtee dhe Nico O’Reilly, duke vulosur një fitore të merituar.
Pas kësaj ndeshjeje, Manchester City ngjitet në vendin e katërt në tabelë me 55 pikë, dy më shumë se Chelsea dhe dy më pak se Nottingham Forest, ndërkohë që ka një ndeshje më pak të zhvilluar krahasuar me të dyja skuadrat. Crystal Palace renditet në vendin e 11-të me 43 pikë.