Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ka informacion të besueshëm për praninë e inteligjencës ruse në strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës. Në një intervistë për gazetën kroate Večernji List, ai theksoi se ndikimi rus ka rritur pas fillimit të agresionit në Ukrainë, duke e bërë këtë një kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi informacione të besueshme që lidhin inteligjencën ruse me strukturat ilegale në veri të Kosovës. Pas agresionit rus në Ukrainë, ndikimi i tyre është shtuar, sidomos përmes bashkëpunimit me Serbinë,” tha Maqedonci.
Ministri gjithashtu e theksoi se lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë janë të dokumentuara, përfshirë aktivitete të inteligjencës dhe Qendrën Humanitare në Nish. Ai shtoi se Kosova nuk ka probleme me qytetarët serbë, por që qeveria e Beogradit po përdor një retorikë destabilizuese për qëllime politike të brendshme.
Në lidhje me marrëveshjen ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, Maqedonci theksoi se kjo nuk është një kërcënim për Serbinë, por një mundësi për bashkëpunim dhe stabilitet në rajon. Ai theksoi gjithashtu se Serbia ka tentuar vazhdimisht të mbajë tensionet dhe pasigurinë në rajon, ndërsa shtetet që kanë nënshkruar këtë marrëveshje janë të orientuara drejt paqes dhe sigurisë.
Ministri konfirmoi se NATO është informuar për marrëveshjen dhe se kjo është një hap i rëndësishëm për forcimin e partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në fushën e investimeve në ushtri, Maqedonci theksoi se Kosova po krijon një ushtri moderne, e aftë për të mbrojtur territorin e saj, në përputhje me standardet e NATO-s. Ai siguroi se Kosova nuk ka synime për të sulmuar ndonjë shtet tjetër, por për të mbrojtur integritetin e saj.
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Kosova ka kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO, megjithatë, kërkesa nuk ka avancuar për shkak të kundërshtimeve nga disa shtete anëtare.