Mark Zuckerberg, drejtori i përgjithshëm i kompanisë Meta, u takua me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, në rezidencën e tij luksoze në Mar-a-Lago, Florida. Takimi, sipas këshilltarit të Trump, Stephen Miller, ka shërbyer për të diskutuar mbështetjen e Zuckerberg për liderin republikan, i cili po përgatitet të transferohet në Shtëpinë e Bardhë.
Miller, një nga ndihmësit më të ngushtë të Trump dhe autor i politikave të ashpra kundër emigrantëve të paligjshëm gjatë mandatit të parë të presidentit, tha për Fox News se Zuckerberg ka interesat dhe axhendën e tij, por se gjithashtu e ka bërë të qartë se mbështet rinovimin kombëtar të Amerikës nën udhëheqjen e Trump.
Një zëdhënës i Meta konfirmoi gjithashtu takimin dhe theksoi se Zuckerberg e ka konsideruar një mundësi të vlefshme ftesën për darkë me Trump dhe ka shfrytëzuar rastin për të takuar anëtarë të ekipit të tij.
Marrëdhënia mes Trump dhe Zuckerberg ka pasur një histori të tensionuar. Pas ngjarjeve të 6 janarit 2021, kur mbështetësit e Trump hyjnë në Kapitol, llogaria e presidentit në Facebook, pjesë e Meta, u bllokua për shkak të shkeljes së rregullave të platformës. Megjithatë, në fillim të vitit të kaluar, llogaria e Trump u rikthye, pasi Meta e vlerësoi se rregullat e platformës nuk mund të parashikonin një bllokim të përhershëm.