Lirigzona Nuredini
Prishtinë, 15 nëntor –
Trusti Pensional i Kosovës konfirmoi rënjën e aksioneve dhe vlerës së aseteve por nuk pranoi ta quaj humbje, duke vlerësuar se kjo rënie është vetëm e përkohëshme.
” Krahasuar me gjysmën e parë të këtij viti në tremujorin e tretë të këtij viti kemi pasur përmirësim dhe ngritje në vlerën e mjeteve të investuara. Ngritja e mëtejme e vlerës së investimeve në tregjet globale varet prej më së shumti konflikti në Ukrainë, inflacionit të lartë global por edhe kohës së rikuperimit nga pasojat e COVID-19’’, tha për qendra.info, zëdhënsi i Trustit Pensional të Kosovës, Jeton Demi.
Sipas tij, më 2 nëntor 2022 në bankat e Kosovës, si depozita, ishin të investuara rreth 75 milionë euro ose sa 3.2% e totalit të investimeve prej fondit të përgjithëshëm prej 2.3 miliardë eurove.
“Deri më 2 nëntor performansa negative është -4.75%, por që duhet pasur parasysh që vetëm më 2021 kishim performance pozitive prej rreth +11% dhe prej themelimit çmimi i njësisë ka ngritje prej 64%”, tha tutje zëdhënsi i këtij institucioni.
Mediat duke cituar raportin e Bankës Qendrore të Kosovës raportuan dy ditë më parë se për shkak të rënies së aksioneve humbjet e Trustit Pensional ishin rreth 170 milionë euro.
” Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për sistemin financiar deri në muajin shtator të këtij viti, humbjet e Trustit për periudhën janar-shtator 2022 arrijnë shumën e përgjithshme prej 170.5 milionë euro. Vlera e përgjithshme e aseteve të Trustit kalon shifrën prej 2.3 miliardë euro. Gjatë kësaj periudhe (gusht), kontributet e reja në Trust arritën në 177.1 milionë euro, derisa vlera e çmimit të aksionit ishte 1.59 euro”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila citon të dhënat deri në muajin gusht të këtij viti.
Por nga gushti e deri tani që jemi në mes të muajit nëntor, ka pasur ndryshime janë rikuperuar një pjesë e humbjeve prej shifrës totale.
“Rëniet dhe ngritjet janë pjesë e natyrshme e tregjeve financiare sipas zhvillimeve aktuale në botën makrofinanciare dhe gjeopolitike. Këto rënie do të shndërrohen në humbje të realizuara vetëm nëse FKPK-ja i shet investimet dhe i tërheq mjetet, që do të rezultonte në pamundësi rikuperimi e ngritjeje në të ardhmen.
Për t’i ilustruar më mirë lëvizjet periodike, duhet kujtuar se në vitin 2021 kishte kthim bruto prej +227 milionë euro nga investimet. Gjithashtu aktualisht FKPK-ja ka një ngritje të çmimit të aksionit prej rreth 65% nga themelimi i institucionit, që dëshmon funksionin afatgjatë që e ka strategjia e investimeve”, thuhet në sqarimin e këtij institucioni.
Tutje, i njejti sqarim duke komentuar perferomansën e këtij viti saktëson se ” Sa i përket këtij viti (2022) performanca e periudhës janar-qershor është e pritshme, me ambientin aktual të luftës në Ukraine, krizës energjetike dhe inflacionit dyshifror.
” Bordi Drejtues gjatë vitit 2022 ka bërë maksimumin e mundshëm, duke i lëvizur mjetet në pozitën më mbrojtëse dhe plasuar shumicën e mjeteve në instrumente me rrezik shumë të ulët. Aktualisht rreth 46% e të gjitha mjeteve (ose mbi 1 miliard euro) janë të investuara në tregun e parasë së gatshme, depozitat bankare në Kosovë dhe letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës”, theksohet tutje në sqarimin e Trustit Pensional të Kosovës.
Me përqindjen e re prej – 4.75% performansë negative, del se minusi i Trusit Pensional është rreth 110 milionë euro.