McLaren është rikthyer fuqishëm në krye të tabelës përpara sesionit kualifikues të Çmimit të Madh të Bahreinit, me Oscar Piastrin që regjistroi kohën më të shpejtë bindëse gjatë seancës së tretë të stërvitjeve të lira.
Piastri shënoi 1:31.646 në përpjekjen e tij të parë me grupin e dytë të gomave të buta (C3), duke lënë pas me +0.668 sekonda shokun e tij të skuadrës, Lando Norris, i cili bëri një gabim në kthesën e 11-të në xhiron e parë. Edhe pse Norris përmirësoi kohën në përpjekjen e dytë, diferenca me australianin mbeti e ndjeshme, duke treguar se gomat e buta të Pirellit këtë fundjavë nuk ofrojnë mbërthim optimal pas xhiros së parë të shpejtë.
Charles Leclerc, i vetmi që mbeti brenda një sekonde nga Piastri, përfundoi i treti me një diferencë prej 0.834 sekondash. Megjithatë, ky rezultat nuk ka gjeneruar shumë optimizëm për Ferrarin, i cili ka sjellë një dysheme të re për këtë fundjavë.
Mercedes-i nuk arriti të qëndrojë afër kreut – George Russell dhe debutuesi Andrea Kimi Antonelli përfunduan në vendin e katërt dhe të pestë, të dy mbi një sekondë larg Piastrit.
Pierre Gasly surprizoi me një performancë solide për Alpine, duke u renditur i gjashti, ndërsa për një moment madje e udhëhoqi seancën përpara se Piastri ta rrëzonte nga vendi i parë. Koha përfundimtare e Gasly-t ishte 1.328 sekonda më e ngadaltë se ajo e australianit.
Debutuesi Hadjar ishte përsëri përpara kampionit në fuqi, Max Verstappen, duke zënë vendin e shtatë, me holandezin menjëherë pas tij në të tetin. Carlos Sainz përfundoi i nënti pas një xhiroje që e quajti “shumë të keqe”, pavarësisht se inxhinieri i tij i garës kishte një mendim tjetër.
Lewis Hamilton nuk arriti të imponohej, duke përfunduar i dhjeti, me një diferencë prej 1.465 sekondash ndaj kohës më të mirë, ndërsa Yuki Tsunoda ishte i fundit në renditje – ai nuk arriti të kompletojë një xhiro në gomat e buta pasi e humbi pikën e frenimit në kthesën e parë dhe u kthye në gomat e forta.
Nico Hülkenberg zhvilloi vetëm shtatë xhiro përpara se problemet teknike me makinën e tij Sauber ta detyronin të ndalonte në pistë, duke shkaktuar aktivizimin e kushteve të makinës virtuale të sigurisë.
Seanca kualifikuese zhvillohet sot në orën 18:00 dhe transmetohet në SK1.