Me kërkesë të 42 deputetëve Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e nënkryetarit Enver Hoxhaj (sipas autorizimit të kryetarit Glauk Konjufca), mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, me vetëm një pikë të rendit të ditës, sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues: Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiç.
Në cilësi të iniciuesit, arsyetimin e thirrjes së kësaj seance e bëri kryetari i GP të PDK-së, deputetit Abelard Tahiri, i cili në fjalën e tij i bëri thirrje Prokurorit të Shtetit që t’i hetojë përgjimet e publikuara, ngase, siç potencoi ai, është cenuar siguria kombëtare. Tahiri tha se Radoiçiqi nuk është thjeshtë një kriminel ordiner, është një person që e ka mbështetjen e madhe të Aleksandër Vuçiq.
Në të njëjtën frymë ishin edhe diskutimet e përfaqësuesve të grupeve të tjera parlamentare në seancë, Anton Quni nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK, por edhe deputetëve të tjerë diskutues.
Në mungesë të kuorumit propozim-rezoluta e paraqitur nga iniciuesi i debatit, deputeti Tahiri, nuk u arrit të hidhej në votim, përderisa kryesuesi i seancës, nënkryetari Enver Hoxhaj bëri të ditur se për votimin e saj deputetët do të njoftohen me kohë.