Sot, me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, u zhvillua ceremonia e varrimit të ish-veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Shala, i njohur me nofkën e luftës Komandant “Ftyra”.
Ceremonitë mortore nisën me homazhe në sallën e sportit të Banjës, ku bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë bënë nderimet e fundit pranë arkivolit të tij. Në këtë ngjarje morën pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, autoritete komunale, si dhe personalitete të tjera nga trojet shqiptare.
Në mbledhjen komemorative që pasoi homazhet, u kujtua jeta dhe veprimtaria e Komandant Ftyrës. Fjalime mbajtën Fatmir Limaj, komandant Çeliku dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës, Metush Kryeziu nga OVL e UÇK-së në Malishevë, si dhe Fatmir Shurdhaj në emër të familjes dhe bashkëfshatarëve të Banjës.
Ceremonia përfundoi në varrezat e fshatit Banjë, ku Naser Shala u përcoll me nderime ushtarake dhe rite fetare, duke lënë pas një trashëgimi krenare për brezat që vijnë.