Një ndër mediet më të mëdha të botës së biznesit “Trade Arabia”, i ka bërë jehonë projektit për portin e Durrësit.
“Zhvilluesi global i pronave në Emiratet e Bashkuara Arabe, Eagle Hills ka njoftuar nisjen e projektit për marinën më të madhe të super jahteve në Mesdhe, Durrës Yachts & Marina”, shkruan “Trade Arabia”.
Sipas “Trade Arabia”, përveç 12 mijë apartamenteve që do ndërtohen, të cilat ofrojnë një jetë të pasur në bregdetin e Adriatikut, projekti përfshin një marinë të re moderne që pret super jahtet më të mëdha në botë; një terminal për linjat e lundrimit ndërkombëtar, i pari i këtij lloji në bregdetin shqiptar; përvoja premium të shitjes me pakicë në ambient të hapur me koncepte unike të blerjeve; parqe dhe hapësira të gjelbra; rezidenca hoteliere të markave më të njohura; klube dhe spa të klasit botëror, si dhe klube ekskluzive të plazhit dhe marinës.
“Trade Arabia” citon investitorin Mohamed Alabbar në lidhje me projektin.
“Ky zhvillim është maja e jetesës luksoze, ndërkohë që sjell në të njëjtën kohë investime të reja, infrastrukturë dhe mundësi afatgjata zhvillimi në Shqipëri.Ne jemi krenarë për partneritetin tonë me qytetarët dhe zyrtarët qeveritarë të këtij kombi të shquar në një projekt transformues inovator që mori dy vjet planifikim dhe modelim nga arkitektë, inxhinierë, konsulentë dhe artistë të njohur ndërkombëtarisht”, është shprehur ai.
Zhvilluesi i Emirateve të Bashkuara Arabe ka thënë se përmes planifikimit dhe menaxhimit të kujdesshëm urban, Durrës Yachts & Marina do të dizajnohet si një nga qytetet e reja më të qëndrueshme në botë, duke përfshirë praktika miqësore me mjedisin, hapësira të gjelbra dhe teknologji inteligjente për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe emetimet e CO2, për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe mbrojtjen e burimeve natyrore.
“Ky synim do të arrihet me një infrastrukturë që përfshin menaxhimin e energjisë, ujit dhe trafikut, si dhe mjetet më të fundit të lëvizshmërisë urbane. Duke përdorur teknologjinë më të avancuar të disponueshme sot, ky projekt do të jetë gjithashtu një nga projektet më inovative në botë”, ka shtuar ai.
Sipas Alabbar, ndërtimi i këtij porti nuk hap vetëm destinacionin për vizitorët e nivelit të lartë, por krijon gjithashtu Monakon e Adriatikut.
“Ju keni këtë histori të pabesueshme në sfond, së bashku me atë që do të jetë një destinacion krejtësisht i ri luksoz. Ne kemi bërë shumë projekte speciale gjatë viteve në mbarë botën, por nuk kam dyshim se ky është më i miri prej tyre”, shprehet Alabbar. /atsh/