Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, tha se përkundër sfidave që kanë qenë në Kosovë, ekonomia dhe stabiliteti financiar kanë pasur ritme dhe trende pozitive edhe në vitin 2022.
Sipas tij janë disa faktorë të cilët kanë bërë që të kemi stabilitet financiar në vend, siç janë rritja e konsumit në vend dhe investimet e huaja.
“Viti 2022 filloi me një perspektivë të mirë, kemi një rritje e cila është edhe parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila do të lëvizë prej 3 deri në 4 përqind e ndikuar prej shumë faktorëve”, tha ai për emisionin e mëngjesit në RTK.
Sipas tij lufta në Ukrainë ka ndikuar që të kemi ndryshime, duke përfshirë edhe rritjen e inflacionin.
Mehmeti tha se në Kosovë ka rritje të kreditimit që ka shkuar në 18.4 %, po ashtu edhe remitencat kanë qenë faktorë që kanë ndikuar në ekonomi.
“Remitencat kanë arritur rreth 1 miliardë euro, apo me rritje 5.5%, inflacioni për këtë vit është 11.5 %, kurse investimet e huaja direkte janë mbi 567 milionë euro, krahasuar që kanë qenë me 394 milionë euro”, deklaroi ai.
Edhe këtë vit për Kosovën, sipas kreut të BQK-së, është deficiti i lartë tregtar dhe për këtë çështje duhet të punohet për të adresuar këtë sfidë.