Microsoft ka njoftuar se do të mbyllë shërbimin e thirrjeve në internet Skype dhe do të përqendrohet plotësisht në platformën e saj të komunikimit, Teams. Përdoruesit do të kenë mundësinë të bëjnë thirrjen e fundit përmes Skype më 5 maj, pas së cilës platforma do të tërhiqet përfundimisht, sipas raportit të Reuters.
Skype, që u lançua në vitin 2003, transformoi komunikimin ndërkombëtar me mundësinë e thirrjeve falas audio dhe video. Në kulmin e tij, Skype kishte qindra miliona përdorues, por ka humbur terren gjatë viteve të fundit ndaj konkurrentëve si Zoom dhe Slack. Një nga arsyet kryesore të rënies së Skype është se teknologjia themelore e tij nuk është më e përshtatshme për pajisjet moderne të telefonave inteligjentë.
Përqendrimi në Teams
Pandemia e COVID-19 dhe rritja e punës nga shtëpia e detyruan Microsoft të fokusonte vëmendjen te Teams, një platformë e ngjashme për thirrje video dhe bashkëpunim. Teams ka qenë në vazhdimësi duke u përmirësuar dhe integruar me aplikacione të tjera të paketës së Microsoft Office, gjë që i ka mundësuar të fitojë shumë përdorues biznesi, përfshirë ata që dikur ishin përdorues të Skype. Kjo strategji ka bërë që Teams të zëvendësojë Skype si opsioni kryesor për thirrjet dhe komunikimin në mjedise profesionale.
Kalimi në Teams
Për të lehtësuar kalimin nga Skype në Teams, përdoruesit do të mund të përdorin kredencialet e tyre ekzistuese të Skype për t’u regjistruar falas në Teams dhe të kenë mundësinë të migrojnë automatikisht bisedat dhe kontaktet. Ky kalim është një hap tjetër për Microsoft, që po përpiqet të mbyllë kapituj të ndryshëm të mjetet e komunikimit të dështuara, siç është shfletuesi i vjetër Internet Explorer dhe Windows Phone.
Skype, një histori suksesi dhe rëniesh
Kjo nuk është hera e parë që Microsoft ka pasur vështirësi me mjetet e komunikimit online. Google ka pasur gjithashtu përpjekje të dështuara për të krijuar aplikacione të ngjashme me Skype, duke prezantuar Hangouts dhe Duo, të cilat nuk arritën të fitojnë popullaritetin që shoqëria e teknologjisë kishte shpresuar.
Kur Microsoft bleu Skype në vitin 2011 për 8.5 miliardë dollarë, shërbimi kishte rreth 150 milionë përdorues aktivë. Megjithatë, deri në vitin 2020, ky numër ishte ulur në rreth 23 milionë, përkundër një ringjalljeje të shkurtër gjatë pandemisë. Tani, Teams ka rreth 320 milionë përdorues aktivë mujorë, duke u bërë platforma dominuese për komunikim në internet në mjedisin profesional.
Për të ardhmen
Microsoft nuk ka shpërndarë informacione të reja mbi numrin e përdoruesve të Skype, por ka siguruar se mbyllja e Skype nuk do të shkaktojë shkurtime të vendeve të punës. Ky kalim i Skype në Teams është një hap tjetër në strategjinë e Microsoft për të dominuar tregun e komunikimit online, ndërsa Skype kalon në histori si një nga platforma më të suksesshme, por të pasuksesshme pas rënies së tij,shkruan Reuters .