Ministria e Financave ka reaguar lidhur me mospagesat e orëve shtesë për policët, duke theksuar se përgjegjësia për përgatitjen e listave të pagave dhe sigurinë që shuma e paguar është brenda kufijve buxhetorë, i takon organizatave buxhetore përkatëse.
Në një deklaratë, ministria theksoi se është detyrë e këtyre organizatave të sigurohen që kur miratojnë shtesa mbi pagën bazë, të kenë një buxhet të mjaftueshëm. Po ashtu, u shpjegua se çdo tejkalim i ndarjes buxhetore mund të sjellë pamundësinë e ekzekutimit të plotë të pagave dhe shtesave.
Ministria ofroi gjithashtu mbështetje për organizatat buxhetore që të bëjnë planifikimet e duhura, në përputhje me ligjin, për të siguruar që mundi dhe puna e policëve të kompenzohen në muajt në vijim.