Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetik për të hyrat e lejuara maksimale të premten.
Derisa anëtarët e ZRRE-së nuk treguan për sa për qind do të rritet çmimi i rrymës me tarifat e reja, mediat raportuan se rritja do të jetë mbi 16 për qind.
Bordi i ZRRE-së e miratoi me pesë vota për dhe asnjë kundër vendimin për të hyrat e lejuara maksimale për Furnizuesin për Shërbim Universal, KEDS, në vlerë prej 435 milionë euro në vit.
Para se të propozimi të miratohej, kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se ZRRE-ja e ka ulur për rreth 12 milionë euro kërkesën e KEDS për të hyrat e lejuara maksimale.
“Atëherë nëse s’ka komente, është mirë edhe njëherë me e ritheksu që kërkesa [e KEDS-it] ka qenë diku rreth 447 milionë euro, mirëpo pas vlerësimit të stafit dhe diskutimeve me të gjitha palët e interesit kemi ardhur në përfundim prej 435 milionë euro”, tha ai.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.