Legjenda kroate e mesfushës, Luka Modriq, pritet t’i japë fund aventurës së tij të gjatë me Real Madridin, pasi kontrata e tij skadon pas dy muajsh e gjysmë, dhe deri më tani nuk ka sinjale për vazhdimin e bashkëpunimit. Kështu raporton e përditshmja spanjolle “AS”.
Në moshën 39-vjeçare, Modrić ka tejkaluar çdo pritshmëri të tifozëve, të cilët dy sezone më parë kërkonin që ai të qëndronte të paktën edhe një vit tjetër. Kontributi i tij mbetet i jashtëzakonshëm, dhe falë paraqitjeve të vazhdueshme, ai ka arritur të ruajë një vend të rëndësishëm në formacionin madrilen.
Megjithatë, tradita e klubit “Los Blancos” nuk favorizon qëndrimin e lojtarëve në prag të përfundimit të karrierës, dhe sipas “AS”, mundësia që Modrić të vazhdojë në “Santiago Bernabéu” është gjithnjë e më e vogël.
Në situatë të ngjashme ndodhen edhe Lucas Vázquez dhe David Alaba, të cilët gjithashtu janë në fundin e kontratave të tyre dhe ende nuk kanë marrë një ofertë për rinovim. Sipas raportimeve, e ardhmja e tyre është në pikëpyetje dhe vendimi përfundimtar pritet të merret në javët në vijim.