Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka folur shkurtimisht para nisjes së vazhdimit të seancës parlamentare, duke theksuar se dita e sotme, sipas tij, duhej të ishte ditë pushimi.
“Sot duhej të ishte ditë pushimi. Jemi të interesuar, përtej votës nuk kemi çfarë të bëjmë,” deklaroi Murati, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i Qeverisë është tashmë i qartë dhe mbetet në dorën e partive tjera të vendosin.
Murati shtoi se ka ende shpresë për ndryshim qëndrimesh nga partitë opozitare, ndonëse deri tani, sipas tij, ato nuk kanë treguar interes për konsensus.
“S’kanë qenë të interesuar për konsensus,” tha ai.
I pyetur nëse do të ndryshohet kandidatja për president, Murati u përgjigj prerazi: “Kandidatja jonë është Albulena Haxhiu, gruaja më e votuar.”