Një çift lesbikesh nga Shqipëria ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi një gjykatë britanike vendosi se kthimi i tyre në atdhe do t’i ekspozonte ndaj rrezikut të diskriminimit dhe përndjekjes, raporton “The Telegraph”.
Gratë, të cilat kishin qenë viktima të trafikimit dhe dhunës për shkak të orientimit të tyre seksual, argumentuan se megjithëse homoseksualiteti nuk është më i paligjshëm në Shqipëri, shoqëria atje mbetet konservatore, patriarkale dhe e dominuar nga meshkujt.
Sipas dokumenteve të gjykatës, gratë ishin rrëmbyer, sulmuar seksualisht dhe abuzuar fizikisht nga disa burra, pasi ishin parë duke u puthur në publik, shkruan A2 CNN. Avokatët e tyre theksuan se ekziston një lidhje e qartë mes orientimit të tyre seksual dhe faktit që ishin trafikuar, dhe se në Shqipëri viktimat e trafikimit shpesh fajësohen dhe stigmatizohen, duke pasur vështirësi në integrimin social dhe punësimin.
Gjykatësja Rebecca Chapman vlerësoi se gratë do të ishin të rrezikuara nëse do të ktheheshin në qytetin e tyre të lindjes, Shkodër. Ajo shtoi se edhe nëse do të përpiqeshin të zhvendoseshin në një pjesë tjetër të Shqipërisë, vendi është i vogël dhe i ndërthurur në mënyrë të tillë që siguria e tyre nuk mund të garantohej.