Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se pret formimin e një qeverie stabile në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe se aleanca do të bashkëpunojë me këdo që do të udhëheqë vendin.
Në një konferencë për media, ku foli edhe për takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare që zhvillohet të enjten në Bruksel, Rutte theksoi rëndësinë e stabilitetit politik në Kosovë.
“Ky ka qenë një proces demokratik. Rezultatet fillestare janë publikuar, por numërimi i votave ende po vazhdon. Sipas të dhënave të deritanishme, pritet të formohet një qeveri e koalicionit,” tha Rutte.
Ai gjithashtu siguroi se NATO-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me lidershipin e ri. “Ne do të punojmë me këdo që do të drejtojë vendin dhe u dëshirojmë politikanëve suksese në krijimin e një qeverie stabile sa më shpejt që të jetë e mundur,” theksoi ai.